Diar Carpet

Diar Carpet Salloni i Tepiheve dhe Tepisonave

14/01/2026

𝐈𝐧 𝐡𝐨𝐧𝐨𝐫𝐞𝐦 𝐞𝐭 𝐦𝐞𝐦𝐨𝐫𝐢𝐚𝐦 - 𝐌𝐮𝐬𝐥𝐢𝐦 𝐌𝐮𝐥𝐥𝐢𝐪𝐢
Në përkujtim të 28-vjetorit të ndarjes nga jeta.

A do të mund të imagjinohej arti modern shqiptar pa Muslim Mulliqin?

Muslim Mulliqi lindi në Gjakovë në vitin 1934, në një mjedis zanatlinjsh e artistësh, ku ndjeshmëria ndaj formës dhe materialit ishte pjesë e përditshmërisë. Shkollimin e mesëm e nisi në Shkollën e Arteve në Pejë, por nuk arriti ta përfundojë: talenti i tij u dallua aq herët sa, ende 16 vjeçar, u pranua si rast i rrallë në Akademinë e Arteve të Beogradit, në një kohë kur shumica e shoqërisë kosovare ishte ende analfabete. Në Beograd diplomoi nën mentorimin e Zora Petrović – një formim që e vendosi në kontakt të drejtpërdrejtë me zhvillimet moderne të artit evropian.

Pas studimeve, Mulliqi u dërgua me bursë në Paris, një nga qendrat më të mëdha të artit botëror. Atje, vepra e tij u pranua si e barabartë me atë të artistëve të kohës, duke dëshmuar se piktura nga Kosova kishte gjuhë universale dhe peshë estetike. Megjithatë, ai zgjodhi të kthehej. Ky kthim nuk ishte hap prapa, por akt përgjegjësie kulturore: ai u kthye për të ndërtuar institucione, për të krijuar sistem dhe për t’i dhënë artit pamor kosovar themele të qëndrueshme.

Secili organizim serioz artistik në Kosovë nis, drejtpërdrejt ose tërthorazi, nga vepra e tij. Ai ishte nismëtar dhe themelues i Akademisë së Arteve të Kosovës, themelues dhe dekan i parë i Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, si dhe themelues i Galerisë Kombëtare të Kosovës. Pa këto institucione, arti pamor do të kishte mbetur përpjekje individuale, jo sistem kulturor. Pra Muslim Mulliqi nuk krijoi vetëm piktura, por infrastrukturën mbi të cilën arti e kultura në vend vazhdojnë të ekzistojnë.

Si piktor, ai solli impresionizmin dhe ekspresionizmin në pikturën shqiptare, duke e çliruar atë nga realizmi i ngurtë dhe duke e orientuar drejt shprehjes së brendshme. Ciklet si “Kullat e Dukagjinit”, “Portretet” dhe “Pushtimi i hapësirave të reja” shënojnë reflektimin e parë të mirëfilltë të artit modern në Kosovë që nga vitet ’70. Frymëzimin e gjeti në gjendjen njerëzore nën qiellin kosovar, ndërsa përdorimi i ngjyrave të theksuara dhe figurës së tensionuar shërbeu për të artikuluar emocionalitetin, dhimbjen dhe rezistencën kolektive.

Karriera e tij ekspozuese, që nis në Gjakovë në vitin 1952 dhe shtrihet në qendrat kryesore të Kosovës, ish-Jugosllavisë dhe deri në Romë, dëshmon një artist të afirmuar ndërkombëtarisht. Për veprën e tij kanë shkruar dhe folur njohës të rëndësishëm të artit, duke e vendosur Mulliqin në kontekst më të gjerë se ai lokal apo kombëtar.

13 janari 1998 shënon ndarjen nga jeta të këtij kolosi, në një kohë kur Kosova po hynte në periudhën më të errët të historisë së saj. Ndonëse nuk arriti ta shihte monografinë e tij të botuar, ai pati fatin – në mes të fatkeqësisë – të mos i shihte të rrënuara institucionet që vet i ndërtoi dhe të cilave u shërbeu pa kursyer deri në fund.

Pyetjes se a do të mund të imagjinohej arti shqiptar pa Muslim Mulliqin i jemi përgjigjur që kur filluam të lexonim këtë shkrim.

𝐏𝐚 𝐭𝐞̈ 𝐧𝐮𝐤 𝐢𝐦𝐚𝐠𝐣𝐢𝐧𝐨𝐡𝐞𝐭 𝐚𝐬 𝐚𝐫𝐭𝐢 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫 𝐞 𝐚𝐬 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐚.

𝑅𝑖𝑛𝑎 𝐴𝑠𝑎𝑛𝑖

Address

Pristina
100000

Telephone

+38344115218

Website

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Diar Carpet posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Contact The Business

Send a message to Diar Carpet:

Shortcuts

Share